Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana është arrestuar në Greqi, pas një urdhër-arresti për një ngjarje të vjedhjes me armë të ndodhur në Shqipëri.
Arrestimi është kryer në Patra, mëngjesin e 7 shtatorit, nga oficerët e Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Patra. Shtetasi shqiptar është ndaluar me qëllim nisjen e procedurave për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Sipas autoriteteve greke, ndaj tij ishte në fuqi një urdhër-arrest ndërkombëtar i Interpolit për veprën penale “vjedhje me armë”, për një ngjarje të regjistruar në Shqipëri.
Pas arrestimit, shqiptari pritet të paraqitet në Prokurorinë e Apelit të Patras, ku do të nisin procedurat e nevojshme për ekstradimin e tij drejt autoriteteve shqiptare.
Arrestimi është rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre greke për lokalizimin dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.





