Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një dalje për mediat ka thënë se shteti ka rënë dhe se qeveria është bërë palë me krimin.

Referuar grabitjes së miliona eurove në Rinas, Kryemadhi u shpreh se është cënuar siguria kombëtare dhe se qytetarët nuk janë më të sigurtë, ndaj ka bërë thirrje edhe një herë për bashkim popullor në protestat që do të mbahen nga opozita e bashkuar.

"Ngjarja shumë e rëndë e aeroportit të Rinasit ka tronditur jo vetëm qytetarët shqiptarë por edhe sigurinë në gjithë rajonin. Nëse një rajon i një vendi anëtar i NATO-s mund të hyhet dhe të cënohet nga bandat është një cënim i sigurisë. Aeroporti Kombëtar i Rinasit paraqitet si një vend i atakuar nga kriminelët sa herë që i duhet për të atakuar këtë institucion dhe sa herë që i duhen para. Qeveria shqiptare filloi të justifikohet si gjithmonë. I ikën përgjegjësinë në një sjellje që nuk inkurajon qytetarët por duke i dhënë mbështetje kriminelëve që ndihen të mbështetur nga ligji. Qytetarët e thjeshtë ndihen tërësisht të pasigurtë pasi nuk shohin askënd që të jetë larguar nga detyra dhe thirren nga Prokuroria ata të cilët luftojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre se kanë vite që i pagujnë taksa shtetit shqiptar. Një ngjarje e tillë e rëndë që përsëritet sa herë që kriminilët duan të grabisin është një provë e qartë e dështimit të Qeverisë shqiptare. Kjo Qeveri është një provë e pandëshkushmërisë e të gjithë të këqijave të këtij vendi. Shqiptarët nuk duan të dëgjojnë më si në një vend të botës, bëhen edhe filma. Shqiptarët meritojnë punë dhe ta kenë Shqipërinë shtëpinë e tyre. Një polici e ç’organizuar përballë krimit dhe kriminelëve tregon rënien e shtetit dhe nuk është më partnere e qytetarëve e por armike që ruan krimin dhe bandat."