Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dalë sot në një konferencë për shtyp, për të folur rreth grabitjes së parave në ambientet e brendshme të Rinasit.
Lleshaj ka thënë se koncesionari i aeroportit nuk ka sinjalizuar në kohë Policinë e Shtetit për të bërë të mundur ndalimin e grabitjes së sasisë së konsiderueshme të parave.
"Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje në Rinas, nuk ka funksionuar sistemi i sigurisë së koncesionarit. Kompania kineze e sigurisë ka dështuar në misionin e saj. Nuk është sinjalizuar policia për rastin, edhe pse duhej bërë. Koncesionari nuk ka vepruar siç duhet, duke mos njoftuar policinë. Por policia ka vepruar me vendosmëri duke kryer misionin e saj. Forcat policore kanë vepruar në vend dhe më tej dhe sot kemi prova materiale të rëndësishme. Grupi hetimor ka prova me rëndësi për ngjarjen. Do të merren masa për të ruajtur sigurinë kombëtare", tha Lleshaj.
Ministri Lleshaj theksoi se grabitja po hetohet me intensitet të lartë nga policia dhe Prokuroria ndërsa tha se aktualisht siguria në aeroport është e garantuar.





