Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka deklaruar se pakoja financiare për bursat e studentëve kap shifrën e 2.3 mld lekëve të rinj. Gjatë raportimit të saj në Komisionin e Edukimit, Shahini tha se janë ndarë bursat për dy kategori, ekselentët dhe shtresat në nevojë.
"Kemi ndarë bursa prej 10 mijë lekësh për dy kategoritë: studentët ekselentë dhe studentët në nevojë. Për studentët e ciklit të dytë ka përgjysmim tarife për ata që janë më të mirët dhe ata që janë në nevojë. Kjo si pako financiare kap vlerën e 2.3 mld lekëve të reja. Ka filluar disbursimi që në janar".
Po ashtu, Shahini i bëri thirrje studentëve që përfitojnë bursa të hapin llogaritë bankare.
"Muaji i parë ishte pak i ngadalshëm për shkak se ka shumë punë nëpër sekretaritë për të mbledhur informacionin për të gjithë studentët. Tani është stabilizuar situata dhe jemi shumë më mirë në disbursimin e bursave. Është një grup i studentëve që nuk kanë marrë bursën që ju takon dhe një pjesë e tyre nuk i kanë hapur llogaritë bankare. Sa më shpejt studentët të shohin pranë sekretarive që janë përfitues të bursave të hapin llogaritë bankare që të përfitojnë bursën që u takon", tha Shahini.





