Deputetja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari ka folur në studion e emisionit “Open” në TCH për vendimin e saj për të mos djegur mandatin dhe duke dalë nga vendimi i opozitës. Ajo është pyetur edhe për vendimin që ka marrë vëllai i saj Kiri Hajdari që ditët e fundit është parë në krah të kreut të PD-së, Lulzim Basha.
“Si janë raportet në familjen time? Patjetër që flas me vëllain tim. Të gjithë kemi familjet tona. Ne jemi rritur në këtë mënyrë që të kemi mendimet tona të lira. Ne kemi kundërshtitë tona, por ne vendosim vetë. E vetmja gjë që i kam këshilluar Kirit është që të mos jetë pjesë e dhunës.
Patjetër që ai do të jetë në krah të demokratëve dhe unë jam në krah të demokratëve. Nuk i shoh komentet dhe këto momente ndoshta janë emocionale. Unë thjesht mendoj që kam një qëndrim të qartë në atë që bëj. Unë jam në krah të vëllait tim edhe pse ai ka mendimin e tij.
Ndihem shumë krenare për vëllain tim dhe që del dhe u thotë demokratëve në protestë që amanati i tim eti është me ju. Opozita del aty për disa qëndrime të drejta. Jam dakord me ato akuza që bën opozita.
Unë kam qenë kundër djegies së mandateve sepse e kam parë si një vendim që braktis përgjegjësitë që ka opozita. Patjetër që opozita është një mekanizëm, por mund t’i kishim kombinuar të dyja.
E bëra që nëna ime të kalojë vetingun? Është e pamundur që të merrem me këto akuza. Mamaja ime ka shumë vite në profesionin e saj. Unë kam vetëm pak kohë në këtë zanat. Unë kam përgjegjësitë dhe mia ajo ka të vetat për karrierën e saj. Kam folur me nënën për vendimet e mia, por deri këtu shkon debati. Ajo ka zgjedhur të jetë larg politikës për shkak të pozicionit të saj” – tha Hajdari.





