Aleanca Kombëtare e Këshilltareve, ka pritur më kot që këtij grupimi politik ndërpartiak t'i bashkoheshin edhe këshilltaret e djathta. Takimi i përbashkët u shty dhe grupimit të grave i është bashkuar PS e LSI. Ky grupim u mblodh në Durrës ndërsa një deklaratë e përbashkët është mbajtur nga Sanie Doda, këshilltare e LSI.

Grupimi vullnetar ndërpartiak i këshilltareve është krijuar më 8 mars 2018 dhe përfaqëson deri më sot 60% të këshilltareve gra në 32 bashki të Shqipërisë. AKK synon të krijojë një klimë mbështetëse për çështjet e grave dhe vajzave në të gjitha bashkitë, si edhe të fuqizojë vetëfunksionimin e Këshillave bashkiakë.

Në funksion të përmbushjes së objektivave të AKK, ju dërgua një letër publike drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partive Politike, Përfaqësive Ndërkombëtare dhe Opinionit Publik.

Në përmbajtjen e saj, letra informon mbi rezultatet e deritanishme të AKK dhe u parashtron aktorëve të përfshirë, në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore, kërkesa specifike për sigurimin e barazisë gjinore në përfaqësim si në listat e kandidatëve për këshilltarë, ashtu edhe në proceset e zgjedhjeve në organet drejtuese vendore.

K.H.