Masimiliano Alegri është i qeshur pas fitores me Milanin, falë golave të Dibalës dhe Ken, ndonëse për dy protagonistët ai ka mendime të kundërta, duke parë edhe mënyrat e tyre të reagimit në fushë.
“Të fitonim me Milanin ishte jetike përpara Ajaksit, sepse suksesi të jep gjithmonë stimuj të mëdhenj për ndeshjen e radhës, aq më shumë kur ajo është aq e rëndësishme. Kundër Milanit është gjithmonë një ndeshje e bukur, edhe pse bëmë një pjesë të parë shumë të butë. Gjithsesi, fraksioni i dytë ishte shumë i bukur, doli një ndeshje plot intensitet, por ne reaguam siç duhej dhe e merituam fitoren”.
Për sa i përket protagonistit të sfidës, Moise Ken merr elozhet e trajnerit të tij: “Ken gjeti sërish golin, duke konfirmuar se është shumë i zoti përpara portës. Këtë herë më pëlqeu edhe festimi i tij disi më i përmbajtur. Ken titullar me Ajaksin? Të shohim, ndeshjet zgjasin 95 minuta. Mund ta kishim humbur në janar? Për Moisenë bëmë një referendum në skuadër, duke përfshirë edhe lojtarët, ndonëse unë kam besim tek ai. Është një djalë i ri që vazhdon të bëjë gabime që lidhen me moshën e tij të re, por duke u stërvitur me kampionë të mëdhenj, mund të përmirësohet në aspektin sportiv dhe atë psikologjik”, vazhdon Alegri.
Në lidhje me gjendjen fizike të Ronaldos, edhe “Kontit Maks” iu desh të pranonte “gënjeshtrën” e Pavel Nedvedit: “Po, është e vërtetë që na kërkoi të luajë që në ndeshjen ndaj Milanit. Kristiano është gjithmonë gati për të mirën e skuadrës, edhe sikur t’i duhet të shtrëngojë dhëmbët. Por tani ta shohim në stërvitje dhe do e vlerësojmë përpara Ajaksit, ndonëse shanset që ai të jetë në fushë janë të mëdha, – nënvizon 51-vjeçari, që më pas kalon te dueli i Champions-it. –Si do shkojmë në Amsterdam? Me avion, me çfarë të shkojmë… (qesh) Do të jetë një ndeshje ku nuk duhet të bëjmë gabime, aq më shumë si ai që i dhuruam golin Milanit. Duhet të jemi perfekt. Dibala ka shanse me Ajaksin pas nervozizmit? Paulo le të mërzitet. Nëse kërkon që të jetë titullar, duhet të luftojë për veten, sepse nëse nuk bën dot këtë, si do të mund të luftosh për skuadrën…”.





