Ndërsa ditët kalojnë dhe 30 qershori po afrohet, misteri se kush do të jetë kandidati i PS-së në zgjedhjet lokale vazhdon ende. Vizita e Ramës në Durrës në kuadër të turit “Bashkia që duam”, të shtunën e kaluar, nuk ndihmoi socialistët për të shuar kuriozitetin mbi emrin se kush do të garojë për të drejtuar bashkinë e qytetit bregdetar për 4 vitet e ardhshme.
Por ndërsa nuk hodhi dritë mbi kandidatin e PS-së, Rama me heshtjen e tij duket se e shtyu kryebashkiakun Vangjush Dako që të shprehet mbi atë që ndoshta do të jetë pasardhësi i tij në postin e qytetarit nr.1 të Durrësit.
DurrësLajm mëson se pak ditë më parë, kryetari i PS-së së Durrësit, Luan Zaza, ka zhvilluar një takim me drejtues socialistë të disa lagjeve dhe njësive administrative. Zaza u ka thënë vartësve të tij se ishte ngarkuar nga kryebashkiaku Vangjush Dako për t’u kërkuar mbështetjen për kandidaturën e Spartak Kovaçit, drejtorit të Ndërrmarrjes Ujësjellës-Kanalizime. Kovaçi ka qenë që në fillim një nga kandidaturat e përfolura për të garuar për Durrësin, gjithnjë nëse Dako nuk do të rikandidonte për mandatin e katërt.
Kjo lëvizje e fundit e Dakos konfirmon edhe njëherë se kryebashkiaku prej 12 vitesh i Durrësit nuk aspiron më për të qenë pjesë e një tjetër gare elektorale vendore. Por nga ana tjetër, kërkesa për mbështetjen e socialistëve durrsakë për Kovaçin nuk kuptohet qartë nëse Dako e ka zgjedhur vërtet pasardhësin e tij apo po teston bazën dhe strukturat drejtuese për të kuptuar sa mbështetje ka secili nga kandidatët e përfolur në medie.
Ajo që dihet me siguri është se vetë Dako gëzon mbështetje maksimale në rradhët e socialistëve të Durrësit dhe do t’i maksimalizonte votat e PS-së durrsake e jo vetëm nëse do të rikandidonte. Por vënia e tij në shënjestër të sulmeve të opozitës për përgjimet e dosjes 339, duket se ka ndikuar që kryebashkiaku durrsak të mos tentojë më rikandidimin por t’i hapë rrugë një tjetër kandidati.
Ndërsa në shumicën e bashkive në shkallë vendi janë zyrtarizuar tashmë kandidatët e PS-së për zgjedhjet vendore, në Durrës situata vazhdon të jetë e turbullt. Kujtojmë se qyteti bregdetar drejtohet nga e majta që nga koha kur kryebashkiaku i fundit demokrat Arqile Gorea humbi përballë kirurgut Miri Hoti. Pas një qeverisje gati 2 dekadash në qytetin e Durrësit, socialistët shpresojnë fort për një tjetër mandat 4-vjeçar. Pas tërheqjes së Dakos dhe qënies së tij tashmë vetëm koordinator i fushatës për të gjithë qarkun, mbetet për t’u parë nëse diferenca e thellë prej rreth 13 mijë votash në 2013 do të ruhet, do të tkurret apo socialistët do të “lëshojnë” qytetin që e kanë pasur të tyrin prej gati 20 vitesh.
M.B.





