Në përkujtimin e 80-vjetorit të rezistencës antifashiste, presidenti i Republikës, Ilir meta ishte në Durrës, ku takoi edhe trashëgimtarët e Heroit të Popullit, Mujo Ulqinakut, me të cilët bëri edhe një foto poshtë statujës së tij në qytetin bregdetar.
“I lumtur të takoja Aselin dhe Sirian, stërmbesat e Heroit të parë të rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinakut, sot në 80-vjetorin e rënies heroike të simbolit kombëtar të qendresës, i cili jo vetëm mbrojti me jetën e tij betimin ndaj Atdheut dhe flamurit, por i dëshmoi Europës se Shqipëria nisi rezistencën antifashiste edhe pse e braktisur dhe e harruar. Me gjakun dhe veprën e tyre, Mujo Ulqinaku dhe patriotët e tjerë frymëzuan rezistencën antifashiste që e vendosi Shqipërinë në anën e duhur të historisë dhe qytetërimit. Ndaj sot çdo shqiptar kudo ku ndodhet kujton me nderim e mirënjohje heroizmin e tyre sublim në emër të lirisë dhe flamurit”, shkroi ndër të tjera Meta në “Facebook”.
Më pas presidenti Meta vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt para heroizmit dhe veprës atdhetare të Mujo Ulqinakut dhe të gjithë bashkëluftëtarëve, të cilët u ngritën me armë në dorë kundër pushtuesve fashistë.





