Ndërsa fliste për zhvillimet e fundit politike, në një lidhje live për emisionin “Të paekspozuarit”, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi iu përgjigj moderatorit Ylli Rakipi, pas deklaratës së tij se Lefter Koka vazhdon të jetë pjesë e kryesisë së LSI-së dhe kryetar i degës së Durrësit.

Kryemadhi tha se kjo nuk ishte e vërtetë, pasi një javë pasi Koka nuk iu bashkua vendimit të grupit parlamentar për djegien e mandateve, ajo zhvilloi një mbledhje të strukturave në qytetin bregdetar dhe ngriti grupin e punës, në krye të të cilit është caktuar Nasip Naçon që do të përgjigjet për qarkun e Durrësit

Sipas Kryemadhit, “Lefter Koka është vetëlarguar nga LSI, pasi në LSI nuk përjashtohesh, por vetëpërjashtohesh”. Ajo nënvizoi se Koka nuk ka marrë pjesë në të kaluarën në mbledhje dhe sipas asaj kjo është një formë vetëlargimi.