Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se nuk ka mbajtur premtimet e bëra ndaj mjekëve e arsimtarëve për rritje të pagave.
Në një deklaratë për mediat, ish-deputetja demokrate Albana Vokshi tha se qeveria po fsheh gjendjen e vërtetë të financave të shtetit.
"Të gjithë e dinë se Edi Rama gënjeu. Vitin që shkoi as pagat e mësuesve, as të mejkëve, as të administratës, nuk u rritën asnjë qindarkë. Për ta nuk u dha asnjë shpërblim, sepse mirëqenia dhe trajtimi dinjitoz i tyre nuk është pjesë e axhendës së Edi Ramës. Njerëzit për Edi Ramën janë vetëm objekte elektorale që, ose duhen blerë, ose duhen mashtruar.
Disa muaj më parë, Edi Rama premtoi sërish se pagat e mësuesve, mjekëve, punonjësve në shëndetësi dhe ushtarakëve do të rritën duke nisur nga 1 prilli. Ju ftoj të ndiqni vetë premtimin e tij. Partia Demokratike e di shumë mirë se qeveria po fsheh gjendjen e vërtetë të financave të shtetit, se kontrabanda dhe korrupsioni në dogana e tatime gëlojnë dhe në arkë nuk ka para mjaftueshëm, sepse muaji mars është mbyllur me minus, por rreth 60 mijë mësues, mjekë, infermierë, punonjës të shëndetësisë, ushtarakë dhe familjet e tyre, nuk kanë pse të vuajnë pasojat e korrupsionit galopant të qeverisë së Edi Ramës.
PD shpreh keqardhjen, veçanërisht, për përdorimin e rreth 35 mijë mësuesve si objekte elektorale. Mësuesit, në dorën e të cilëve janë fëmijët tanë, meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe jo sipas llogarive për vota të Edi Ramës. Gjatë qeverisjes së tij, paga e tyre ka pësuar një rritje minimale në 6 vjet, ndërkohë, që gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike paga e mësuesve u mbidyfishua. Paga e mesuesve duhet të rritet pa vonesë dhe jo të pritet afrimi i zgjedhjeve. Zgjidhja është e thjeshtë: qeveria të nxjerrë menjëherë një vendim me fuqi prapavepruese, në mënyre që rritja modeste të perfitohet që prej datës 1 prill dhe asnjë ditë më vonë", tha Vokshi.





