Deputetja e PD-së, Rudina Hajdari ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas kritikave nga ish-kolegët deputetë se kërkoi një minutë heshtje në Parlament nga Gramoz Ruçi për 4 dëshmorët e 2 prillit.
Duke e quajtur si një akt dinjitoz atë që bëri në Parlament, Hajdari akuzon PD-në se ka bërë politike për 28 vite me Gramoz Ruçin, ndërkohë që pranoi në grupin e saj Parlamentar, Kastriot Islami dhe Lufter Xhuvelin.
POSTIMI I HAJDARIT
Të kërkosh nderim zyrtar me heshtje në Kuvend për Martirët e Demokracisë nuk është fyerje por akt dinjitoz për ata që besojnë në vlerat demokratike.
Ata që bëjnë sikur e duan shumë të djathtën duhet të kenë parasysh se me Gramoz Ruçin dhe partinë e tij kanë 28 vjet që bëjnë politikë.
Mos të harrojnë historinë se Z. Islami që ishte Kryetar i Kuvendit Komunist e kanë bërë pjesë të grupit parlamentar ndërsa me Lufter Xhuvelin kanë mbajtur koalicion.
Drejtësi duhet të bëhet për Martirët e Demokracisë ashtu siç edhe për dhjetra raste të rënda në Shqipëri të cilat kanë mbetur si gjurma në akull si shkak i politikës 28 vjeçare..!





