Teuta ka pushuar një ditë pas fitores me Kastriotin, sukses i cili rrit optimizmin te durrsakët. Ndaj krutanëve spikati mesfushori Uendi Vecaj. Shkodrani pohoi se pas fitores me Kastriotin Teuta është gati të përmbysë edhe Kukësin në Kupë.

Uendi, ndaj Kastriotit ishit lojtari i ndeshjes…

Kam bërë vetëm detyrën dhe do të stërvitem fort për të ecur kështu. Duke i bërë hyzmetin stërvitjes, besoj se vijnë edhe frytet.

A mjafton fitorja ndaj Kastriotit për të kaluar ngërçin psikologjik?

Ne jemi një forcë për t’u llogaritur, kështu që është e rëndësishme që të marrim rezultate të mira për pjesën e mbetur të sezonit.

Prisni të luani më shumë si titullar?

Të gjithë duan ta fillojnë nga fillimi, por ekipi ka shumë lojtarë të mirë. Unë stërvitem çdo ditë, jap maksimumin dhe mundohem të kap formacionin.

Keni ende çfarë të jepni për këtë Teutë?

Mendoj se kam për të dhënë shumë më shumë dhe do e arrij atë. Sa herë që futem nga stoli apo titullar, mundohem t’i jap një rrjedhë tjetër lojës.

Si e parashikoni sfidën e kthimit ndaj Kukësit në Kupë?

Kemi një ndeshje ku ne shkojmë që të japim maksimumin. Do të luajmë me forca të shumta për të marrë një rezultat të mirë dhe për të arritur objektivin. Luajmë ndaj një kundërshtari të vështirë, por kemi besim te forcat tona. Kam besim si unë, ashtu dhe e gjithë skuadra është e bindur për ta kaluar këtë ndeshje dhe për të vijuar më tej në Kupë.