Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ishte në News24, në rubrikën “Opinion” për të folur për aktualitetin politik, vendimet e maxhorancës dhe protestat e opozitës. Balla tha se Kuvendi është legjitim dhe vijon punën e tij edhe pa praninë e opozitës. E sa i përket kodit zgjedhor tha se do i qëndrohet strikt rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe KE-së.
Ndërkohë ai akuzoi opozitën dhe liderët, Basha, Kryemadhi e Berisha se kanë dy qëllime me protestat e tyre, të bllokojnë finalizimin e reformës në drejtësi dhe çeljen e negociatave. Balla tha se të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë e konfirmojnë se Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur.
“Opozita ka si qëllim dëmtimin e rrugës europiane të Shqipërisë dhe çdo përpjekje për të dëmtuar reformën në drejtësi. Të dyja janë pa kthim mbrapa. Shqipëria duhet t’i kishte hapur negociatat në dhjetor të vitit të kaluar por ishte një vendimmarrje europiane”, tha Balla.
Lidhur me akuzat për vjedhjen e zgjedhjeve dhe ndaj kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, Balla deklaroi se Dako i ka fituar zgjedhjet edhe me Berishën kryeministër.
“Ku u vodhën zgjedhjet? Në Durrës janë vjedhur zgjedhjet? Dako është zgjedhur në vitin 2007 kur Sali Berisha ishte në kulmin e pushtetit. Është zgjedhur në vitin 2011. Kur i vodhi zgjedhjet Vangjush Dako? Shqiptarët e dinë, Lulzim Basha do pushtet në tavolinë. Kërkoi dhe në 2017.
Të kesh Kryemadhin në krahë dhe të ankohesh për vjedhje votash nuk të shkon. Zgjedhjet në 2017 janë certifikuar nga ODIHR, sot për cilësinë e zgjedhjeve të gjitha institucionet e tjera marrin e lexojnë raportin e ODIHR dhe ODIHR ka certifikuar zgjedhjet. Basha i pranoi zgjedhjet e 2017. Nuk ka sot një provë që të bëjë pis rezultatin e zgjedhjeve të 2017. Lëri thashetheme jo i tha Niçja, e ëma, babai. Sa për dosje prokuroria ka detyrimin që t’i shkojë deri në fund, që ka përdorur para për të blerë votat. Por ju e dini në raportin e OSBE-ODIHR, në ka një rast për blerje votash është një rast i përfaqësuesit të LSI-së”, u shpreh Balla.





