Në fjalën e mbajtur para demokratëve të mbledhur para bashkisë së qytetit, kreu lokal i degës Ferdinant Xhaferaj e vuri theksin në problematikat e ngritura nga qytetarët durrsakë gjatë takimeve të zhvilluara kohët e fundit. Sipas tij, problematika numër një, e ngritur nga të gjithë, është se durrsakët s’po e njohin më qytetin e tyre.
“Gjatë këtyre muajve e javëve kemi bërë shumë takime, në qendër, në periferi, në komuna. Keni shprehur shumë shqetësime, por shqetësimi i përbashkët është se durrsakët nuk po e njohin më qytetin e tyre. Durrësi është tani një qytet i rrënuar, i shkatërruar, është një Durrës i shpërfytyruar. Për shekuj e vite është folur për Torrën Veneciane, por Rama e Dako po bëjnë që të flitet për Velierën. Për shekuj e vite është folur për rrugët me kalldrëm të Durrësit, por tani po flitet për rrugët e shtruara me beton”,- tha Xhaferaj gjatë fjalës së tij.
Duke nënvizuar largimin e qindra mijëra qytetarëve drejt vendeve evropiane gjatë këtyre viteve të qeverisjes Rama, Xhaferaj tha se tashmë qyteti me Ramën dhe Dakon është vënë në shërbim të krimit, ndërkohë që për shumë vite me rradhë ka qenë në shërbim të qytetarëve, nga të gjitha krahinat e vendit.
“Sot porti i Durrësit shihet si një mundësi për të ikur nga qyteti. Për dhjetëra e dhjetëra vite ka pritur ky qytet me mijëra qytetarë nga krahina të ndryshme, sepse Durrësi i ka shërbyer qytetarëve, por sot, me Ramën dhe Dakon, Durrësi i shërben grupeve kriminale”,- tha Xhaferaj.





