“Sot, Shqipëria është një vend shumë më i sigurt sesa ishte 5 vite më parë, kjo nuk ka asnjë diskutim, edhe pse diskutohet rregullisht, pa pushim, në të gjitha klubet mediatike dhe vihet në shënjestër në mënyrë të pandërprerë, duke ekspozuar në vazhdimësi çdo ngjarje që nuk përbën ngjarje, që ndodh në Republikën e Shqipërisë”.
Kështu do të deklaronte kryeministri Edi Rama të enjten në Kuvend në lidhje me sigurinë në Shqipëri, që pas disa shifrave të dhëna, ai tha se problemin qëndron tek media. Por në fakt mediat vetëm raportojnë ngjarjet, ashtu si ekzekutimi i kësaj të shtune në qytetin e Shkodrës që i ngjan Palermos të viteve ’70.
Dy vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali u ekzekutuan sapo dolën nga banesa e tyre, rreth orës 9:30 të kësaj të shtune në lagjen Kiras. Autorët ashtu si në çdo atentat janë larguar nga vendi ngjarjes me një automjet, të cilin e kanë braktisur pak kilometra më tutje duke i vënë flakën.





