Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi nga qyteti i Patosit ka folur për situatën politike në vend, por duke e paralelizuar atë me kohën e luftës së LANÇ.
Ruçi tha se vlerat që kanë trashëguar nga baballarët dhe nënat veteranë ka qene antifashizmi. Sipas tij, të jesh antifashist sot je europian, ndërkohë që e kundërta është të mos zbatosh verdiktin e populli dhe të djegësh mandatin.
"Kjo ditë mban lavdinë e një beteje të fituar dhe dhimbjen për rënien e katër heronjve të popullit e dëshmorëve të saj. Më 29 mars 1944 partizanët e batalionit “Naim Frashëri”, në bashkëveprim me forcat partizane të grupit Mallakastër, zhvilluan epopenë e lavdishme, betejën për marrjen e garnizonit nazist në Kalanë e Margëlliçit. Për fitoren ranë heroikisht në fushën e betejës, drejtuesi i luftimeve, komisari i Brigadës Mustafa Matohiti, zëvëndëskomandanti i Batalionit Meleq Gosnishti; komisari i kompanisë Lefter Talo dhe komisari i batalionit të grupit Mallakastër Dinjo Kalenja.
Sot është momenti të kujtojmë se partizanët shqiptarë, labë e malësorë, çamë e minoritarë; toskë e gegë, gra e burra, myslimanë e të krishterë, vajza e djem, luftuan dhe dhanë jetën për Shqipërinë, pavarësisht se kush ishin dhe nga vinin. Ata kishin një emër të përbashkët, partizanë, dhe kryen një mision të përbashkët, si çlirimtarë të atdheut të tyre.
Sot është momenti të kujtojmë se antifashizmi është një vlerë dhe mision universal, i pavjetërueshëm, themeli me solid i demokracisë dhe trashëgimia më e vyer që na kini lenë, ju, nëna e baballarë veteranë. Antifashizmi ka qenë dhe mbetet burim virtytesh në historinë e njerëzimit.
Sot është momenti të kujtojmë se kolaboracionizmi është i dënueshëm në çdo kohë dhe i papajtueshëm me demokracinë, lirinë, progresin dhe qytetërimin. Asnjë virtyt njerëzor nuk mund të bashkëjetojë me kolaboracionizmin.
Të jesh sot antifashist dhe europian, do të thotë të punosh natë e ditë për integrimin europian të Shqipërisë dhe luftën për pushtet ta vesh në shërbim të ndërtimit të shtetit dhe jo anasjelltas; tí përkushtohesh e nështrohesh verdiktit të votuesve dhe të mos braktisësh pozicionin ku të ka vendosur vota e popullit.
Unë e njoh mirë historinë e Luftës Nacional-Çlirimtare. Prej saj kam mësuar se mjaft komandantë të njësive partizane nuk arritën të merrnin detyrën sepse ranë në betejë para se tu vinte njoftimi i emërimit prej korrierit partizan. Ata ranë në emër të “mandatit” që i kishin caktuar vetes, si partizanë e çlirimtarë. Revokova këto episode për të kuptuar sa jetik është për demokracinë e Shqipërinë respektimi dhe sa shkatërrues është braktisja e mandateve të popullit. Ky është mësimi që vjen nga shqiptarët antifashistë dhe demokratë të vërtetë të çdo kohe."





