Ka përfunduar protesta e sotme e Opozitës së Bashkuar para Kuvendit, e cila zgjati rreth 3 orë. Protesta u shoqërua me tension dhe përplasje të herëpashershme mes protestuesve dhe forcave të Rendit. Protesta nisi para Kuvendit për t’u zhvendosur para Ministrisë së Brendshme dhe për t’u mbyllur me mbledhjen e protestuesve para selisë së Partisë Demokratike.
Në fjalën përmbyllëse, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha përsëriti se nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër.
“Sot në këtë protestë, me pjesëmarrjen dhe qëndresën tuaj, keni bërë të dëgjohet zëri i shumicës absolute të shqiptarëve, që ka një të qartë dhe të parevokueshëm, Rama ik! Orët e kësaj bande po numërohen mbrapsht me çdo bashkim të jashtëzakonshëm proteste si ky i sotmi. Kush nuk e ka dëgjuar, kush nuk e kuptuar lë ta kuptojë, zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë. Pakt me Maduron e Ballkanit nuk do të ketë. Kjo betejë ka nisur për të çliruar Shqipërinë nga historia e krimit dhe korrupsionit me të thellë që ka njohur Shqipëria në 30 vjet dhe nuk do të ndalet pa e bërë këtë realitet.”





