Ish-deputetja e Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Fatbardha Kadiu ishte sot e pranishme në konferencën mbi efektivitetin e sistemit të taksave në Shqipëri të organizuar nga universiteti “Epoka”. Me një përvojë disa vjeçare akademike si pedagoge në universitetin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, Kadiu ka ndarë me studentë, pedagogë dhe ekspertë të fushës opinionet e saj lidhur me sistemin e taksave që po aplikohet nga qeveria Rama në këto 6 vite qeverisje.
Para auditorit të përbërë me ekspertë si Selami Xhepa, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, stafi pedagogjik dhe studentë, Kadiu dha argumente për disa nga problematikat në fushën e ekonomisë dhe atë financiare që e shtynë opozitën të djegë mandatet e deputetëve. Politikat ekonomike dhe financiare të qeverisë Rama janë kritikuar edhe më parë nga Kadiu, gjatë fjalës së saj në komisionin parlamentar të ekonomisë apo përmes statuseve në rrjetet sociale. Sipas Kadiut, sistemi i taksave të implementuara nga qeveria Rama dhe informaliteti në shumë sektorë ka bërë që gjendja ekonomike e shumicës së popullsisë të degradojë ndjeshëm e për pasojë shqiptarët ndihen më të pashpresë se kurrë.
“Informaliteti i shkaktuar nga kjo qeveri, që është mbi 40% e ekonomisë, ka vrarë shpresën e shoqërisë sonë. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese e bën te pamundur ankimin e një sërë ligjesh fiskale, te cilat bien ndesh me parimet kushtetuese; një faktor ky qe çoi dhe opozitën në vendimin e djegies se mandateve”, deklaroi Kadiu, gjatë fjalës së saj.
Kadiu ishte ndër deputetet e para që mbështeti propozimin e Bashës për dorezimin e mandateve, vendim që u ‘certifikua’ ne unanimitet të plotë nga anëtarët e Këshillit Kombëtar.





