Në kushtet kur opozita nuk ka depozituar emrat e komisionerëve për KZAZ, kreu i KQZ-së Klement Zguri iu drejtua qytetarëve që t'i plotësojnë këto vende.

"Nuk pritet që kjo të vijë nga partitë politike. Duhet që proceset zgjedhore përmes aplikimit të tyre si administratorë zgjedhorë të bëhen model qytetarie",- tha Zguri.

Në mbledhjen e Komsionit Qëndror të Zgjedhjeve morën zyrtarisht mandatet edhe 3 deputetë nga listat shumëemërore të PD dhe LSI.

Në qarkun e Elbasanit nga listat e Partisë Demokratike do të jetë Arben Elezi që do të zëvendësojë Edmond Spahon, ndërsa në qarkun e Vlorës, në vend të Agron Shehajt do të marrë mandatin e deputetit Adriatik Alimadhi. Nga Listat e LSI në qarkun e Shkodrës, ish-deputeti Agron Çelaj do të zëvëndësohet nga Amra Barova.

Por në një kohë që 3 deputetë të rinj do të marrin mandatin, 11 kandidatë nga PD dhe 2 kandidatë për deputetë nga LSI e kanë refuzuar atë, duke mos dorëzuar formularin e dekriminalizimit pranë KQZ.

Komisioni i Zgjedhjeve hodhi edhe shortin, i cili përcaktoi 23 ekspertë kontabël, të cilët do të kontrollojnë fondet e përftuara dhe të shpenzuara gjatë 2018.