*UNDP ALBANIA, i dhuron specialistëve të sektorit të mjedisit detar pajisje speciale…
Në zbatim të projektit "Menaxhimi i ndotjes detare dhe bregdetare për rritjen e sigurisë në det dhe porte, në përputhje me ligjin dhe politikën detare të BE", zbatuar nga UNDP me financim të qeverisë kroate në partneritet me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe atë të Mjedisit, gjatë muajit mars 2019, sipas një grafiku të veçantë u bë dhurimi i pajisjeve speciale, të cilat do të shërbejnë për çdo emergjencë mjedisore në portet e vendit tonë.
Fillimisht në datën 15 mars, paketa e parë ju dhurua zyrës së mjedisit në portin e Durrësit, ku asistoi dhe Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, zoti Agron Tare dhe specialistët e mjedisit. Në vijim në datën 19 mars, pajisjet ju dhuruan zyrës mjedisore në Portin e Vlorës, në prezencë të Drejtorit Admir Malaj, më 20 mars në Portin e Sarandës dhe më 25 mars në portin e Shëngjinit.
Këto pajisje janë komplete të nevojshme për çdo specialist apo person që mer pjesë në operacionet e emergjencës mjedisore detare.
Menaxhimi dhe shpërndarja e këtyre ndihmave që do rrisë ndjeshëm kapacitetet reaguese të personelit që mbulon mjedisin detar në porte, u bë nga specialistët e UNDP ALBANIA, zonja Violeta Zuna dhe Eno Dodbiba.
Ndërkohë drejtuesit e porteve Agron Tare, Admir Malaj, Kozeta Statha e Agustin Gjini, bashkë me specialistët përkatës në porte, morën pjesë në aktin e dhurimit të këtyre ndihmave dhe u njohën me përdorimin e tyre konkret. Ata e vlerësuan këtë mbështetje logjistike si një hap të rëndësishëm për forcimin e sistemit të gatishmerisë dhe reagimit ndaj ndotjeve detare, gjë që rrit dhe elementët e sigurisë në portet respektive.
Pajisjet e kompletit mbrojtës personal (PPE), të dorëzuar në këto porte përfshijnë: doreza dhe kapele mbrojtëse, mushama mbrojtëse, doreza lëkure, canta plastike të papërshkueshme nga nafta, cizme gome, kominoshe, ndërsa për portin e Durrësit dhe një pompë dispresanti me presion për pastrimin e ambientit të ndotur.
Në këtë mënyrë, nëpërmjet kësaj asistence teknike, UNDP ALBANIA, pajisi me komplete mbrojtëse 60 persona, pjesë të ekipeve të reagimit, të specializuar me trajnime të posacme (OSRP table Top exercise) për operacionet reaguese në det (rreth 40 specialistë të kësaj fushe në shkallë vendi). Shumica e këtyre personave, përdorues të këtyre pajisjeve, janë trajnuar nga specialistët kroatë të ATRAC dhe specialistët shqiptarë të UNDP.
Paralelisht, dorëzimi i PPE u shoqërua edhe me takime që përfaqsuesit e UNDP zhvilluan me drejtuesit dhe specialistët e operacioneve të reagimit mjedisor në këto porte, ku u diskutuan çështje të mbrojtjes së mjedisit detar dhe portual si dhe aktivitete të tjera që janë pjesë e planit të punës për këtë vit, brenda projektit.
Veçanërisht u trajtuan dhe problemet e hasura gjatë zbatimit të ligjit me subjektet private dhe institucionet e tjera shtetërore, çështje të cilat janë në fokus të punës që UNDP së bashku me partnerët kroate, do të trajtojë në vijimësi të projektit.
Dhurimi i pajisjeve për sektorët e mbrojtjes së mjedisit në portet e vendit, për t'i bërë ata më të sigurt dhe në fushën e ndotjeve mjedisore, është faza e dytë e zbatimit të këtij projekti. Vlera e këtyre pajisjeve kap shifrën e 10 mijë eurove. Projekti do vazhdojë me detyra e objektiva të tjera të kësaj fushe.
Shefqet Kërcelli





