Kryeprokurorja Arta Marku kritikoi punën e Prokurorisë së Tiranës sa i takon çështjeve penale dhe atyre që janë dërguar për gjykim. Në analizën e Prokurorisë së Tiranës dhe Apelit, Marku tha se janë konstatuar zvarritje dhe mospërqendrim në çështje shumë të rëndësishme, për të cilat sipas saj, Shqipëria ka marrë kritika dhe mund të penalizohet.
“Në Prokurorinë e Tiranës nuk jeni përqendruar sa duhet në hartimin e çështjeve të rëndësishme, janë konstatuar zvarritje. Ka shumë pak çështje penale që janë regjistruar dhe dërguar për gjykim. Kjo situatë nuk i përgjigjet realitetit dhe është një nga pikat e dobëta që Shqipëria ka marrë kritika dhe mund të penalizohet. Përgjegjësia është individuale dhe secili do mbajë përgjegjësitë që i takojnë, por pasojat rëndojnë mbi qytetarin dhe më gjerë”.
Ajo u bëri thirrje prokurorëve që t’i kushtojnë rëndësinë e duhur, në kohën e duhur, çështjeve, që të mos u lihet hapësirë spekulimeve, si edhe të bëjnë kujdes me deklaratat publike.
“Prokuroria nuk mund t’i përgjigjet me deklarata çdo lloj trysnie që vjen nga politika. Prokuroria duhet t’i përgjigjet me profesionalizëm. Vetëm kështu nuk do të jeni të paragjykuar”, tha ajo.





