Policia Bashkiake e Durrësit në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Vendor, kanë bërë të mundur heqjen e kioskës që ishte vendosur pranë hyrjes kryesore së shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini”.

Burime nga Policia Bashkiake thanë për “DurrësLajm” se kioska ishte pa leje. Përveçse pengonte kalimin e nxënësve dhe prindërve të tyre që i përcjellin për në hyrjen e shkollës, kioska zinte edhe një hapësirë të konsiderueshme në trotuar duke kufizuar edhe lëvizjen e qytetarëve durrsakë.

Policia Bashkiake ka ndërmarrë shpesh aksione të tilla për pastrimin e rrugëve të qytetit nga objekte të mëdha të paligjshme, që jo vetëm pengojnë lëvizshmërinë e qytetarëve, por edhe prishin imazhin e Durrësit turistik.