Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së Prokurorisë se kjo parti politike nuk ka deklaruar 650 mijë Dollarë për lobimin në SHBA.
Në një njoftim për mediat, PD thotë se Prokuroria është përdorur politikisht për këtë çështje, pasi ka dalë në konkluzione pa përfunduar hetimin ndërsa thotë se nuk është shkelur asnjë ligj dhe të gjitha shpenzimet për vitin 2017 janë të deklaruara.
Deklarata e Partisë Demokratike:
Deklarata e sotme e Prokurorisë është e paligjshme, e gënjeshtërt, e paprecedentë, vetëdiskredituese dhe e gatuar politikisht.
Dalja me konkluzione hetimore ende pa përfunduar hetimin, si asnjëherë më parë në këto 30 vjet, tregon se Prokuroria po përdoret politikisht dhe po i shërben propagandës qeveritare kundër opozitës së vendit.
Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj dhe ka deklaruar të gjitha shpenzimet e kryera në vitin 2017.
Pasi gënjeshtra e madhe që kishte ngritur për hetimin e Partisë Demokratike i plasi në dorë, pas informacioneve të ardhura nga SHBA dhe Skocia, Edi Rama në dëshpërim ka vendosur të përdorë sërish prokurorinë duke e kthyer nga institucion të ligjit në institucion qesharak propagande.





