Kryetari i KQZ-së Klement Zguri raportoi sot në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e institucionit që drejton për vitin 2018.

Zguri u shpreh se KQZ ka gati drafti-udhëzimin për partitë politike për keqpërdorimin e burimeve shtetërore.

“Partitë poltike i sjellin me vonesë propozimet për komisionerë dhe i ndryshojnë, gjë që hedh dyshime mbi administratën zgjedhore, cenon funksionimin e KZAZ-ve, cenon procesin e numërimit të votave duke vonuar nxjerrjen e rezultateve, cenon procesin zgjedhor”, u shpreh Zguri, ndërsa kërkoi nga partitë t’i japin fund një sjelljeje të tillë.

Zguri u ndal më tej edhe në procedurën e ligjit për dekriminalizimin për të cilin u shpreh se nga nisja e funksionimit të ligjit, KQZ ka marrë 166 vendime për dekriminalizimin.

Kreu i KQZ-së foli gjithashtu edhe për problematika të ndryshme në vendimmarrje të ardhura këto për shkak të vakumeve ligjore.

“Përplasja politike me shumë gjasë nuk do e lë KQZ pa e përfshirë në vorbullën e vet në organzimin e zgjedhjeve lokale. Për këtë Kuvendi duhet ta mbrojë KQZ-në. Zgjedhjet meritojnë një administratë të fortë dhe profesionale. Që zgjedhjet lokale të jenë me standarde Kuvendi duhet të mbështesë komisionin, sepse mund të kemi nevojëpër ndihmën tuaj”, u shpreh ndër të tjera Zguri.