Një shpërthim i fuqishëm në një impiant kimik në lindje të Kinës ka lënë të vdekur të paktën 47 persona dhe ka plagosur më shumë se 600 të tjerë.

Shpërthimi ndodhi të enjten në Parkun industrial Chenjiagang, në qytetin Yancheng të provincës Jiangsu, ndërsa flakët e zjarrit u vunë nën kontroll vetëm në orën 3 të mëngjesit të së premtes (ora 20 e së enjtes me tonën).

Të mbijetuarit u dërguan në rreth 16 spitale, ku të paktën 640 persona po trajtohen për dëmtime të shumta. Prej tyre, 32 janë në gjendje kritike për jetën, duke bërë që nga momenti në moment të mund të rritet numri i viktimave.

Nga shpërthimi, siç raportojnë mediet, janë plagosur edhe fëmijë që po luanin në një kopsht aty pranë.

Shkaku i shpërthimit është ende duke u hetuar, por kompania, e cila prodhon më shumë se 30 përbërës kimik organik, disa prej të cilave të djegshme, është gjobitur disa herë për shkelje të sigurisë në punë gjatë së kaluarës.