Teuta kërkon kthesën përballë Kastriotit. Rrugë tjetër veç fitores nuk kanë, pasi humbja e fundit në Tiranë ka komplikuar ndjeshëm pozitat në klasifikim. Teuta ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës me Kastriotin në shtëpi, një takim tepër delikat për ecurinë e durrsakëve në kampionat.
Rezultate jo të mira në ndeshjet e fundit bëjnë që Teuta duhet të fitojë për të lënë pas dhe kundërshtarë si Laçi dhe Skënderbeu, me të cilët luan për zonën “Euro” dhe është vetëm tri pikë larg.
Ditmar Bicaj dhe Sekou Kamara ndeshjen e fundit përballë Partizanit e kanë parë nga tribuna. Arsyeja është që këta dy lojtarë nuk ishin pjesë e skuadrës, sepse s’kanë qenë zgjedhje teknike të trajnerit Bledi Shkëmbi.
Transferta me Partizanin rezultoi sërish e hidhur për Teutën. Për të dytën herë në këtë sezon dolën pa pikë nga stadiumi “Selman Stërmasi”. Një humbje që zbeh shpresat për kreun, pasi tashmë diferenca me Partizanin shkon në 13 pikë. Zanafilla e kësaj ecurie ishte pikërisht kur Teuta vinte pas një periudhe të errët rezultatesh dhe ndalet sërish në Tiranë. Bregdetarët pësojnë humbjen e pestë këtë sezon.
Një ngadalësim në ritmin e ekipit të Bledi Shkëmbit janë dhe barazimet e pafundme. Kanë sigluar 10 të tilla, që përkthehen 19 pikë të lëna rrugës. Fitorja përballë Kukësit me përmbysje solli një lloj entuziazmi dhe qetësie në kampin blu, por duket se është thyer shumë shpejt nga humbja në transfertën e së dielës.





