Mauro Ikardi duhet ta ketë vuajtur jo pak të parit nga divani i shtëpisë derbin e fituar nga Interi kundër Milanit, por ndërkohë nga ana e futbollistit vazhdon të mos vijë asnjë shkëndijë paqeje që mund ta rikthejë ish-kapitenin në grupin zikaltër.
Sa më shumë kalojnë ditët aq më i sigurt duket fakti se “Maurito” ka vendosur që ta mbyllë këtë sezon pa luajtur me zikaltrit dhe madje po merr formë gjithmonë e më shumë ideja se argjentinasi po kërkon që të ngrejë në këmbë një tratativë me Juventusin ose Realin e Madridit, për të luajtur verën e ardhshme.
Kjo ndjesi vjen nga fakti se askush në selinë zikaltër nuk ka dalë që të pengojë këto zëra, por Xhuzepe Marota me shokë kanë nisur që të punojnë në prapaskenë për skuadrën e sezonit të ardhshëm.
Ideja e administratorit të Interit është ajo që të largojë Ikardin, sepse plaga e hapur duket e vështirë që të mbyllet, por nëse ekziston mundësia që 26- vjeçari të kalojë te Juventusi, zikaltrit dhe Marota do ta lejojnë vetëm në rast se në Torino do të jenë dakord që t’i shesin Paulo Dibalën
.Gjithsesi, tratativa në fjalë do të bëhet e ndarë, sepse ideja e kryesisë së Interit është ajo që ta largojnë me “skonto” sulmuesin nga Milano, duke qenë gati që të zbresin poshtë klauzolës 110 milionë euroshe.m
Nga burime pranë presidentit Zhang Jr. filtrojnë zëra se shuma që ky i fundit kërkon për kartonin e Ikardit është 80 milionë euro, para këto të cilave “Suning” është gati që t’i shtojë edhe një bond prej 100 milionë eurosh të tjera dhe me këtë shumë në total (180 milionë) të synojnë dopioblerjen: Dibala dhe Xheko.
Për sulmuesin e Juves mund të shkohet deri në 120 milionë, ndërsa për bomberin e Romës është gati oferta prej 60 milionësh, të cilën verdhekuqtë vështirë se do ta refuzonin. Në këtë mënyrë, Interi i sezonit të ardhshëm do të merrte një formë të frikshme, duke menduar për një trio sulmuese Dibala-XhekoLautaro, e cila do të bënte që Mauro Ikardi të ishte thjesht një kujtim me “dritëhije” i klubit dhe historisë zikaltër.





