Një njeri që ka hyrë në politikë duke protestuar, pasi vjen në pushtet nuk i pranon protestat. Është pikërisht Erion Veliaj që dje si drejtues i Mjaft, G99 dhe PS në opozitë ishte nga më aktivët kundër të gjitha qeverive të majta apo të djathta qofshin, por sot si kryebashkiak i Tiranës shqetësohet më shumë për barin dhe lulet e shkelura sesa për policët e lënduar, apo qytetarët që nxorën zorrët nga gazi lotsjellës në rrugët e Tiranës. Asnjë fjalë për ta. Në Twitter, Veliaj bëri disa komente kundër protestës, madje me nota raciste për “të ardhurit” që kishin zbritur në kryeqytet.

“Unë nuk e di si i mbani qytetet prej nga vini çdo muaj për ekskursion dhune, por Tirana jonë kurohet me shumë mund e nuk e pranon këtë lloj bullizmi primitiv. Do pastrohet e meremetohet në kohë rekord sot, që nesër të jetë gati për Ditën e Verës e për gjithë qytetarët e vërtetë. Tirana NUK i përulet dhunës! KURRE! Çdo gjë xixë për nesër. Tirana nuk ndalet” – shkroi Veliaj në Twitter.

Më pas Veliaj u qau hallin e pastrueseve që kishin dalë në punë në ditën e pushimit.

“Për ta duhet të ishte ditë pushimi, e megjithatë dolën në punë dhe e rikthyen Tiranën në normalitet në punë minutash! Këta janë heronjtë e vërtetë, e jo “pemthymit” e politikës që aty e kishin Tiranën katër vjet e s’rregulluan dot as sahatin. Çdo gjë gati për Ditën e Verës” – e mbyll kryebashkiaku.