Në një deklaratë për mediat jashtë Parlamentit, Lefter Koka tha se pavarësisht se nuk ka dorëzuar mandatin e deputetit, vijon të jetë pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
"Të gjithë në emër të popullit kanë marrë një vendim. Disa mos ta dorëzojnë mandatin, disa të tjerë për ta marrë dhe disa për tu larguar. Sigurisht që jam pjesë e LSI-së, pavarësisht se vendimi im ishte i ndryshëm nga ai i grupit parlamentar. Ne me të vërtetë propozohemi nga një forcë politike sepse ashtu është kodi, por secili në momentin që zgjidhet përfaqësohet në parlamentin shqiptar."
I pyetur nëse do e votojë kodin zgjedhor, Koka tha se do mbështesë çdo nismë që ka të bëjë me përfaqësimin e qytetarëve shqiptarë në mënyrë sa më të drejtë.
"Ajo që është për të thënë dhe besoj që kërkon vëmendje të madhe nga anëtarët e parlamentit është riparja e kodit zgjedhor. Sot jemi kthyer qesharake për shkak të këtij kodi. Nëse do të vazhdojnë deputetët t'i binden kryetarëve të partisë për ti emëruar apo shkarkuar, unë mendoj se ky parlament do humbë funksionin e tij. Ndaj çdo nismë që do të bëjë përfaqësimin e qytetarëve shqiptarë në një mënyrë sa më të drejtë, do të ketë mbështetjen time dhe të deputetëve të opozitës."
A keni komunikim me drejtuesen e LSI-së?
"Kanë qenë dhe janë marrëdhënie shumë të mira."





