Kreu i qeverisë ka reaguar sot për përplasjen e disa banorëve me policinë tek “Petro Nini”, një ditë më parë.
Edi Rama në një komunikim në Facebook, tha se i pa ato skena, dhe se është njohur me rastin edhe më herët, ndërsa ka mësuar se ata banorë me vendim gjykate e kanë humbur shtëpinë, ndërsa ka shprehur keqardhje për pamjet trishtuese.
Rama, ashtu si Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ndan të njëjtin qëndrim se ndërhyrja e policisë te "Petro Nini" nuk ishte e duhura.
"Trupa ishte nisur pa asnjë përgatitje paraprake. U krijuan skena të panevojshme, njerëz që shtriheshin rrugës dhe policia që nuk dinte se çfarë bënte, shikonte si trupë pa kokë. Ishte dinjitoz reagimi i drejtorit të policisë që largoi nga detyra drejtuesin e policisë së Tiranës",- tha Rama në rubrikën "Përgjigja ime".





