Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ftuar të gjithë qytetarët e Beratit të marrin pjesë në protestën e 16 Marsit.
“Më 16 Mars bashkohuni me ne që qeveria të mos jetë peng i krimit, por të jenë qytetarët që do vendosin nëse qeveria i ka plotësuar premtimet. Nuk do të ketë falje për ata që ju kanë grabitur dhe do i japim fund pandëshkueshmërisë. Do ju kthejmë paratë që ju janë vjedhur. Pas 30 vitesh po agon një ditë e re”.
Basha, tha se sipas tij Shqipëria e vlerave europiane nuk mund të jetë ajo me politikanë të lidhur me krimin.
“Zgjidhja e vetme jeni ju, tani që i ka dalë era parlamentit te krimit. Për Shqipërinë e vlerave evropiane, ne duhet të jemi përkrah jush, në Europë nuk shkohet me politikanë të lidhur me krimin, me politikanë që vjedhin dhe qeveria merr taksat tuaja dhe nuk rrit pensionet”.
Kreu i demokratëve, tha se nuk do të lejojë që të ikin profesionistët nga ky vend.
“Ne nuk mund të pranojnë që profesionistët të largohen nga ky vend. Ne do i japim fund kësaj. Jo duke shkuar shqiptarët si klandestinë në Europë, por të qëndrojnë këtu të rinjtë. Shqipëria evropiane kërkon një qeveri që të jetë përkrah tyre. Nuk na duhet një qeveri që tregon barsaleta. Nuk kërkon uljen e çmimit të naftës dhe heqjen e taksës “Rama”. Kush do punësim, mirëqenie duhet të bashkohet me ne në 16 Mars. Orët e kësaj bande hajdutësh janë të numëruara. Pse erdhëm në këtë ditë? Sepse Edi Rama e mori pushtetin me krimin, në këtë moment qeveria nuk është e popullit, por është peng i krimit. Na duhet që te kemi së bashku një pakt kombëtar për ndryshimet e thella të kushtetutës, një pakt që të garantojë që sovrani jeni ju. Shqipëria e vlerave europianë na thërret në 16 Mars, ku Berati kurrë nuk ka munguar. Le të vendosni dhe ju gurin tuaj, në protestë."





