Presidenti Ilir Meta vizitoi shkollën e mesme profesionale “Shën Jozefi Punëtor” në Mirditë nga ku theksoi se arsimi profesional për të rinjtë dhe të rejat është shumë i rëndësishëm dhe shtrirja e tij nuk duhet të ndalet për asnjë moment nga jugu në veri të vendit.
Gjithashtu Meta falënderoi Kishën Katolike dhe etërit Somaskë, të cilët janë njëherësh administruesit e kësaj shkolle, e cila synon që të nxjerrë kuadër në fushën profesionale me qëllim për t’i shërbyer nevojave të tregut.
"I impresionuar nga vizita që zhvillova sot së bashku me Nuncin Apostolik Imzot Charles John Brown, në Shkollën e Mesme Profesionale "Shën Jozefi Punëtor" në Mirditë, një strukturë model arsimore, me ambiente, infrastrukturë dhe laboratorë modernë, ku studiojnë e kualifikohen qindra të rinj. Falënderoj Kishën Katolike dhe etërit Somaskë, që me përkushtim të jashtëzakonshëm kujdesen për administrimin e kësaj shkolle. Arsimi profesional është tejet i rëndësishëm, ndaj zhvillimi e shtrirja e tij duhet të jetë përparësi reale në të gjithë vendin. Në këtë mënyrë ne i fuqizojmë të rinjtë dhe i ndihmojmë të integrohen më shpejt në tregun e punës", shkruan Meta.





