Kryeministri Edi Rama ka bërë gati listën e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Edhe pse na ndajnë mbi tre muaj nga dita e votimit, shefi i qeverisë ka tani një bilanc të qartë mbi punën që kanë bërë kryebashkiakët aktualë dhe për këtë arsye deklaroi se shumë nga këta nuk do të rikonfirmohen, duke mos marrë kështu pëlqimin e tij për një rikandidim të mundshëm në zgjedhjet lokale.
Ditën e djeshme, i pari i qeverisë zhvilloi një mbledhje të Kryesisë së Partisë Socialiste, fokus të së cilës kanë qenë zgjedhjet vendore dhe sidomos kandidaturat që do të përfaqësojnë PS në këto zgjedhje. Sipas informacioneve, mësohet se Rama ua ka bërë të qartë anëtarëve të Kryesisë se tanimë ai i ka gati emrat e 61 kandidatëve, ndërsa iu ka kujtuar se vetëm 3 prej tyre e kanë vendin e sigurt.
Bëhet fjalë për kryebashkiakët e Korçës, Vlorës dhe Fierit, për të cilët kryeministri ka deklaruar edhe publikisht se meritojnë një mandat të dytë. Por ajo që bie në sy në retorikën e mbajtur nga Rama ditën e djeshme në mbledhjen e Kryesisë, ka të bëjë me faktin se shefit të qeverisë, duke qenë se është njeri i surprizave, i pëlqen që të mbajë në ankth kandidatë, përfshi këtu edhe njerëz të rëndësishëm si deputetët apo edhe kryebashkiakë që presin të rikandidohen. Të njëjtën gjë dhe me të njëjtën strategji i pari i qeverisë aplikoi edhe në fund të vitit, kur bëri ndryshimet në qeveri, pasi shumica e emrave të ministrave të rinj u befasuan, sepse gjithçka e mësuan se u bënë anëtarë të kabinetit qeveritar vetëm gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste.
Ndërkohë që edhe për kandidatët që do të përfaqësojnë PS-në në 61 bashki, Rama po ndjek të njëjtën rrugë, duke i lënë kështu ankth, aq më tepër që ai mund të ndryshojë mëndje deri sa të vijnë zgjedhjet, pasi ka edhe nga ata emra qofshin këtu deputetët që aspirojnë për t’u bërë kryebashkiakë që nuk kanë marrë pëlqimin e bazës. Po ashtu, mësohet se Rama ka porositur vartësit e tij që të zbresin në bazë dhe të bëjnë fushatë, ndërsa ua ka bërë të qartë se në këto zgjedhje Partia Socialiste do të jetë fituese, pasi sipas tij, kandidatët e saj janë më të mirët.
Po ashtu, mësohet se i pari i qeverisë ka garantuar deputetët socialistë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, sikundër kërkon Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, por sipas tij, zgjedhjet parlamentare do të mbahen në vitin 2021.





