Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji i ka dhënë një USB, gazetares së emisionit “Open” Eni Vasili që ta shfaqë.
Sipas tij, aty duket qartë se si policia dhe prokuroria kanë përgjuar në mënyrë të paligjshme selinë e Partisë Demokratike dhe kryetarin e saj Lulzim Basha. Sipas Salianjit, kanë qenë në përgjim edhe gazetarë dhe televizione.
“Ka një skandal më të madh. Për turp të tyre ose ju ka rrëshqitur, prokurorisë i ka rrëshqitur që në mënyrë të paligjshme forcat operacionale kanë survejuar selinë e Partisë Demokratike dhe kryetarin e saj në mënyrë të paligjshme. Është e qartë që kjo është bërë me urdhër të Edi Ramës dhe ne nuk do ta lëmë me kaq”, tha Salianji.
“Nëse do të kishte Prokurori, atëherë do të niste menjëherë hetimet”, tha Salianji në studio për materialet që tha se janë publikuar më herët dhe nuk përbëjnë sekret hetimor.
Për videon, që sipas tij vërteton mbikëqyrjen ambientale të selisë së demokratëve, Salianji thotë se gjithçka bëhet nga njësia operacionale e Policisë së Shtetit. Veç videos për selinë e PD-së, Salianji vuri në dispozicion të drejtuesve të emisionit “Open” edhe një foto ku duket sikur survejohet godina e Top Channel në Mëzez të Kasharit.
“Superdosjet” për të cilat është diskutuar këtë të hënë në “Open” ishin ato me numrat “339” dhe “184”, e para e bërë e famshme prej përgjimeve të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, me bandën e Avdylajve; ndërsa e dyta me hetimet që nisën për çështjen e blerjes së votës pas zgjedhjeve në Dibër, që u mbajtën pas shkarkimit të Shukri Xhelilit.





