Në Këshillin e Integrimit, ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj tha se Shqipëria në qershor pret vendim pozitiv për negociatat, duke theksuar se janë plotësuar të gjitha rekomandimet. Cakaj apeloi se tashmë është momenti për dialog jo vetëm me BE-në, por dhe me faktorët brenda vendit. 

"Situata në Shqipëri është duke u polarizuar dhe ky nuk është thjesht një proces që kërkon dialog me vendet anëtare të BE-së, por mbase edhe dialog të brendshëm politik për të siguruar konsensusin e nevojshëm në implementimin e reformave të kërkuara në dritën e këtij objektivi", tha Cakaj.

Por nënkryetari i Këshillit të Integrimit, Taulant Balla, tha se pavarësisht djegies së mandateve dhe mungesës së opozitës, puna e mazhorancës për integrimin nuk ndalet.

Këshilli i Integrimit, pas disa muajsh pushim, zhvilloi mbledhjen e parë për vitin 2019, ndërsa u raportua edhe për ecurinë e refomës në drejtësi, si një nga kriteret themelore.