Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se këtë vit do të thyejnë rekordin e vitit të kaluar për mbjelljen e pemëve. Kryebashkiaku ka ftuar të gjithë qytetarët që të mbjellin pemë për 14 mars.
“Jemi në gjysmë të planit tonë për këtë vit, kemi edhe një muaj e gjysmë për të thyer prapë rekordin. Dua të ftoj të gjithë të mbjellim pemë për 14 marsin, Ditën e Verës, të mbjellim një pemë për fëmijët që do jetë këtu gjithë jetën. Kush mbjell një pemë, jo vetëm që nuk këput pemë, por nuk ofendon, nuk flet me zë të lartë, nuk hedh mbeturina në tokë dhe unë besoj se më shumë se mbjellje fidanësh e pemësh, është më shumë mbjellje e një kulture dhe një mentaliteti të ri në këtë hapësirën ku mbillen idetë tona, që është kultura jonë qytetare”, tha kreu i Bashkisë.
Veliaj shprehu mirënjohje për çdokënd që bëhet pjesë e aksionit të bashkisë për të mbjellë pemë, ndërsa ftoi çdo qytetar që të shfrytëzojë festat apo ditë shënuara të tyre, si një angazhim personal që secili mund të japë për një qytet më të mirë.





