Zbulimi dhe publikimi i disa dokumenteve sekrete kanë konfirmuar se Katari ka paguar në total 1 miliardë dollarë te FIFA për të siguruar organizimin e Kupës së Botës së vitit 2022. Kjo shumë nuk është paguar njëherazi, por në 3 momente të ndryshme dhe për 3 arsye të ndryshme.

Asokohe, në krye të FIFA-s ka qenë Sepp Blatter, i larguar pikërisht për shkak të akuzave për korrupsion.Pagesa e parë me vlerën e 400 milionë dollarëve është bërë në vitin 2010 nga qeveria e Katarit në adresë të FIFA-s, 21 ditë para se të zbulohej emri i shtetit organizator të Botërorit.

Më pas, një shumë prej 100 milionë dollarësh është bërë nga televizioni Al Jazeera, për të siguruar të drejtën televizive të këtij Botërori. Gjithsesi, pagesat sekrete në adresë të një llogarie të FIFA-s nuk kanë përfunduar këtu.

Sipas të përditshmes britanike “Sunday Times”, që ka zbuluar edhe këto dokumente, një pagesë e tretë me vlerën e 480 milionë dollarëve është bërë më vonë.

Kjo pagesë është kryer pasi Katar fitoi të drejtën e organizimit, kur nisën lëkundjet e para për fituesit dhe u përfol se shtetit aziatik mund t’i hiqej e drejta e organizimit të Botërorit apo e së drejtës televizive.

Kjo do të thotë që në total, FIFA është paguar në mënyrë direkte gati 1 miliardë dollarë nga qeveria e Katarit. Edhe pagesa e tretë ka dalë nga televizioni Al Jazeera, që është blerë nga sheiku i Katarit, Hamad bin Khalifa Al Thani. Mediat konfirmojnë se hetimet do të vazhdojnë, por FIFA ka mohuar se ka lidhje me këtë skandal.