Arrestohet në pikën kufitare të Morinës një 38-vjeçar nga Shkupi, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtare për vjedhje dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Nga burimet zyrtare mësohet se shtetasi Djelal Ferati është dënuar nga gjykata belge me 3 vite burg.

NJOFTIMI I POLICISË

Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Belgjikës, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja”.

Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Djelal Ferati, 38 vjeç, banues në Shkup.

Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bruksel/Belgjikë, pasi autoritetet gjyqësore në Antwerp, Belgjikë e kanë dënuar me 3 vite burg për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja”, parashikuar nga legjislacioni penal i Belgjikës.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Belgjikës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.