Nga BUJAR QESJA
Vazhdoj të qendroj krejt i qetë në pozicionin tim të përditshëm. Vrojtues i dukurive dhe i ndodhive për rreth meje, por edhe vesh zgjatuar për të kapur gjëra të vlefshme për shoqërine dhe qytetarinë. Pastaj ndodh ajo që e kam thënë disa herë, me pasionin dhe zellin e zanatit tentoj, të manifestoj emocionet natyrisht të gjërave që janë të dobishme.
Është kohë që presim dhe takohemi me miqtë tanë, që jetojnë prej vitesh në emigracion. Disa vijnë dhe piqen me ne. Të tjerë i takojmë rastësisht dhe ndalemi me ta. Janë pjesë e jona. Kanë shtëpitë këtu. Kanë miqësinë dhe të afërmit këtu. Por kanë edhe kujtimet e rinisë dhe punës së tyre shumë vjeçare. Një punë që jo vetëm nuk mund të harrohet, por kujtohet si një pjesë aktive dhe e çmuar.
Kështu veproi në një rast Flamur Jakupi. Ishte korriku i vitit 2020. Kështu e ripërsëriti në versionin e një rasti të dytë, tani në këto ditë të korrikut 2021.
Rasti i parë
Brenda një kohe rekord, Jakupi arriti të botoj punë ditësh librin e tij të parë, titulluar:
“Në skenat e së djeshmes” –Emra dhe personazhe
Në faqen hapëse të librit, Jakupi shënon dhe ne lexojmë:
-Në kujtim të mjaft emrave e personazhave, të cilët kam pasur mundësinë e fatin t’i njoh, të punoj, t’i intervistoj e t’i prezantoj, gjatë 30 vitev e të jetës sime në fushën e artit dhe të kulturës në qytetin e Durrësit.
Nuk m’u dha rasti të nxisë mundësinë, për të shkruajtur mbi këtë libër. Edhe tani nuk është se do të shkruaj ndonjë gjë të veçantë. Por dy fjalë do ti them, si detyrë qytetare, si detyrë shoqërore, por edhe si një publiçist që dua të theksoj vlerat që na takojnë.
Me Flamur Jakupin na lidh fëmijëria e hershme. Kemi lindur dhe kemi jetuar në një lagje, madje në një rrugicë. Ai është i vitit 1950 dhe i ka lënë pas të 70-tat. Është lagja 4, rruga “Nail Kondi”. Kujtime të hershme që vijnë e përplasen në mëndjen time, m’u si dallgët e detit tonë “Adriatik” dhe më thonë:
“ Mos harro të kujtosh”.
Në vënd të vlerësimeve të mia për 130 faqet e librit, të cilat kullojnë emocione dhe drithërima të pafund, veçanërisht për brezin tonë, për spektrin e gjërë të vështrimeve të autorit, të nismës së tij për të marrë përsipër çdo detaj dhe për të mos anashkaluar asgjë që ia vlen, të fotove disa prej të cilave ta rrëmbejnë lagështinë e syve, duke të dhënë dorën dhe kalon së bashku me të në vitet e artit dhe kulturës durrsake nga vitet 60-të e për t’u ndalur në fillimet e viteve 90-të, po i drejtohem disa rradhëve të librit.
Flamur Jakupi nënvizon:
-U shkruan këto faqe në mënyrë të thjeshtë, pa pretendime letrare, pa trillime dhe fantazi. Vetëm fakte dhe emra reale.
Fakte të një periudhe të djeshme, e paditur dhe e panjohur për brezat e rinj.
I përkasim një pjesë të historisë artistike-kulturore të qytetit sa antik dhe modern të Durrësit.
Emra të një brezi që tashmë kanë filluar të sfumohen në mjegullnajën e kohës. Udhëtarët që nuk lanë pas vetëm hijen, por më e rëndëisshmja, lanë emrat, punën e ndihmesën e tyre në arritjet e periudhës, për të cilën ndjeva detyrë të shkruaj.
I ndërgjgjshëm për stilin modest, më vijnë dnër mënd ndër të tjera, vargjet e shkrimtarit të madh, krenarisë letrare të Kombit Shqiptar Ismal Kadare, në libbrin e tij “Ftesë në studio”:
-Si ditët e dimrit të pranverohet shpreson kot,
Ashtu dhe unë, Sergej Esenin s’bëhem dot.
Suksesi i këtj libri është ndjerë edhe jashtë Shqipërisë, natyrisht ku jetojnë durrsakët tanë. Por edhe të huaj e kanë thithur, për të prekur sadopak historinë e kulturës së një shteti fqinj.
Rasti i dytë
Foto që kam bërë me Flamur Jakupin, është e 12 korrikut 2021. Gjithnjë tek vendpritja ime e preferuar. Një seli natyrore, ku freskojmë kujtimet dhe miqësinë me shokët dhe të preferuarit e qytetarisë durrsake. Muli, ka lënë Italinë e tij 30 vjeçare për pak javë, me një tjetër synim. Ti flasë përsëri artit dhe kulturës durrsake dhe t’ia përcjellë me sa mundet gjeneratës së re. Pa memorie nuk mund të shkosh askënd.
Më vendos në tavolinë një çantë të madhe, që mezi e mbante.
Me shaka i them:
-Po më duket si çanta e baba Takut (një tjetër i njohuri ynë i kohës së rinisë).
Pas këtij humori të çastit, Flamur Jakupi më befason me një tjetër plan.
-Kam ardhur të hap një ekspozitë, mbi punën e madhe kulturore, artistike që kryhej në qendrat e fuqishme të punës dhe prodhimit në Durrës, por edhe tek
kryeqendra e kësaj kulture pallati “Rinia”.
Dhe ma mbush tavolinën me mbi 100 foto, njëra më e bukur se tjetra, njëra më e përmallshme se tjetra. Kujtime të gjalla. Na u ngjallën të ikurit dhe na takuan të gjallët.
Eh, mor Flamur Jakupi! 30 vite në Itali jo vetëm nuk ta zbehën mallin dhe kujtimet për vëndlindjen, por ta kanë nxitur më tej. Biseda pas bisedash. Takime pas takimesh. Dhe duket se po krijohet rrethi nevojshëm me dashamirës të kulturës tradicionale durrsake, për ta mbështetur nsimën e Flamur Jakupit, për të parë me figurë, të gjallë si dikur, emrat më pikantë të artistëve të skenës, këngëtarë, aktorë të dramës dhe humorit, kompozitorë, figura të respektuara të qytetarisë durrsake.
Vlerë përmbi vlera kjo punë e Flamurit Jakupit. Në atë çantë, sigurisht tani jo si e baba Takut, Flamur Jakupi kishte mbyllur dhe i mbante si ujët e pakët, foto e foto të gati 25 viteve të artit skenik amator, ardhmëria e disave edhe në angazhimet profesioniste. Kjo punë gjigande natyrisht kërkon kohë për t’u publikuar, por puna nisi. Do të detyrohemi të tërë, cili më shumë e cili më pak. Është detyrë qytetare. Është si një lloj amaneti për të ikurit tanë, por që mbetën tonët sigurisht përjetësisht.
Kjo ishte ardhja e dytë e shokut tim të fëmijërisë, e njëri prej veprimtarëve më aktiv të kulturës tradicionale durrsake, të atij që vetëm 10 vjeç mësoj të vizatoj dhe të lëkundë telat e kitares, të atij që digjet nga malli për vendlindjen, duke rrëmbyer një stol të thjeshtë, e duke u ulur tek pragu i shtëpisë ku iu dëgjua frymëmarrja e parë, të atij që nuk ka ndërmënd të ndalet për të krijuar të tjera raste, ku Durrësi i tij dhe i ynë të dëgjohet gjithnjë për të mirë, ashtu siç e meriton.
Sigurisht një ardhje prej fituesi i Flamur Jakupit.