Ndërtimi i godinës së re të shkollës profesionale “Beqir Çela” është drejt përfundimit. Investimi prej rreth 231.5 milion lekë i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të bëjë të mundur që nga viti i ri arsimor 2019-2020, 1617 nxënësit e kësaj shkolle të mos e zhvillojnë më mësimin me dy turne, siç bëhet aktualisht.

Drejtori i shkollës, Fatmir Mërkuri, deklaroi për DurrësLajm se godina e re përfundon në muajin prill dhe në shtator ajo do të jetë gati për të pritur nxënësit. Në godinën e re 3-katëshe janë ndërtuar 27 klasa si dhe ambiente të tjera ndihmëse si dhe ambiente zyrash.

Investimi që po realizohet në këtë shkollë profesionale, e cila pret gjimnazistë nga e gjithë Shqipëria, u inspektua pak ditë më parë nga ministrja Anila Dedaj.

Në fjalën e saj, ministrja Denaj theksoi se një rëndësi e veçantë po i kushtohet bashkëpunimit me bizneset dhe Zyrën e Punës për të kuptuar më mirë nevojat e tregut të punës për nxënës të arsimit profesional.

“Kërkesat e biznesit për burime njerëzore të kualifikuara diktojnë dhe orientojnë strategjinë e qeverisë për hapjen e shkollave profesionale. Gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e shkollës profesionale "Beqir Çela” në Durrës, me një numër total prej 1617 nxënësish, vura theksin te bashkëpunimi dhe me biznesin dhe zyrat e punës për të mundësuar një parashikim sa më mirë të nevojave për të ndërtuar shkolla profesionale”,-tha Denaj gjatë vizitës.

Nga ana tjetër, drejtori Mërkuri deklaron se i ka kërkuar ministres që krahas investimit për godinën e re të parashikohet një fond për rikonstruksionin e godinës ekzistuese si dhe bazës së praktikave mësimore. Rikonstruksioni i tyre do të bënte të mundur që shkolla “Beqir Çela” të ofronte kushte bashkëkohore jo vetëm për zhvillimin e procesit mësimor, por edhe për zhvillimin e praktikës, një hallkë kjo mjaft e domosdoshme për përgatitjen e mirëfilltë të teknikëve të ardhshëm në fusha të ndryshme.

Mërkuri theksoi për DurrësLajm se tradita e mirë e krijuar në bashkëpunim të ngushtë me bizneset dhe zyrën e punës ka bërë që shumë prej maturantëve të kësaj shkolle profesionale të lidhin kontrata pune gjatë vitit të fundit të studimeve dhe të punësohen direkt sapo lënë bankat e shkollës.

“Zhvillimi i praktikës pranë bizneseve mundëson që shumë prej nxënësve të seleksionohen nga punëdhënësit e ardhshëm dhe të mund të integrohen shumë më lehtë në tregun e punës”,- tha Mërkuri.

Shkolla profesionale “Beqir Çela” frekuentohet nga shumë nxënës nga rrethet. Në konvikt nuk arrijnë të sistemohen të gjithë nxënësit, pasi kapaciteti aktual është për vetëm 96 gjimnazistë, ndërkohë që pjesa tjetër akomodohen tek të afërmit apo në shtëpi me qira në Durrës. Pavarësisht se ka një numër të madh nxënësish, çdo vit, shkolla është e detyruar të mos i pranojë të gjitha kërkesat, sepse kapacitetet aktuale në ambiente dhe staf pedagogjik nuk mundësojnë pranimin e një numri më të madh nxënësish.

M.B.