Edlira Hyseni, kandidate e LSI-së në qarkun Durrës sapo ka paraqitur pranë KQZ-së formularin e dekriminalizimit që i hap rrugë kështu marrjes së mandatit.
Pas djegies së mandateve nga deputetët e PD-së dhe LSI-së, KQZ nisi procedurat në zbatim të nenit 164 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit, ky institucion duhet të kontaktojë kandidatët e listave respektive sipas radhës dhe t’u kërkojë atyre plotësimin e formularit të vetëdeklarimit bazuar në ligjin për dekriminalizimin.
Për Durrësin, deputeti i parë i LSI-së për këtë qark Lefter Koka, nuk e dogji mandatin, por ishte deputetja e dytë në listë pas tij Nora Malaj, ajo që iu bashkua vendimit të grupit parlamentar të LSI-së, duke lënë kështu vetëm një vend vakant për emrin pasardhës.
Në bazë të kuotës gjinore, KQZ iu drejtua Hysenit, e cila është drejt marrjes së mandatit të saj të parë si deputete.





