Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu inspektoi mesditën e sotme punimet që po kryhen në Pediatrinë e Durrësit, një investim rreth 2 milionë euro i qeverisë shqiptare.
E pyetur në lidhje me projektligjin për mbrojtjen nga produktet e duhanit, Manastirliu është shprehur se do të ketë sanksione të forta për ata që nuk e zbatojnë, duke shtuar se subjekteve që merren me tregtimin e duhanit mund t'iu hiqet edhe licensa nëse nuk zbatojnë aktet nënligjore.
Ministrja ka theksuar se akoma procesi është në fazën e diskutimeve dhe konsultimeve me grupet e interesit dhe në momentin e duhur do të paraqitet në komisionet parlamentare.
"Synimi ynë është të forcojmë akoma më tej masat kundër duhanpirjes në ambientet publike, për të mos lejuar askënd të abuzojë me ligjin, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme. Sepse për ne parësor është shëndeti i qytetarëve" – tha mes të tjerash ministrja.
Manastirliu deklaroi se Shqipëria është renditur 7 vende më lart sipas raportit Bloomberg për përmirësimin e treguesve shëndetësore, ndaj edhe në bazë të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, do të vijojnë të forcohen masat për duhanpirjen në ambientet publike.





