Pediatria e spitalit rajonal të Durrësit po rindërtohet me themel, për t’u shndërruar në një spital modern, në infrastrukturë dhe aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë.
Këtë të hënë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi nga afër punimet për rindërtimin e pediatrisë të spitalit rajonal Durrës, e cila do t’u shërbejë rreth 55 mijë pacientëve në vit.
“Pediatria e Durrësit po investohet për t’u kthyer në një spital modern, falë investimit të qeverisë në vlerë 262 milionë lekë. Një investim shumë i rëndësishëm për qytetin e Durrësit, por jo vetëm, edhe për turistet e shumtë që frekuentojnë plazhin gjatë sezonit turistik”, tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit të punimeve në Pediatrinë e Durrësit, ministrja Manastirliu prezantoi 7 mjekët specialistë i shtohen këtij spitali, nga 168 mjekët me kontrata të lidhura në të gjithë spitalet e vendit.
“7 mjekë specialistë i shtohen spitalit rajonal të Durrësit, për shërbime shumë të rëndësishme si Pediatria, Kirurgjia, Urgjenca, Kardiologjia, etj. Plotësojmë kështu shumë nga nevojat në spitalet tona rajonale me përfundimin e specializiemeve të 300 mjekëve specialist, mbi 160 prej të cilëve do të shërbejnë pikërisht në spitalet rajonale dhe bashkiake, duke filluar nga ky muaj”, u shpreh ministrja.
Manastirliu është ndalur edhe te dhuna që është ushtruar kohët e fundit ndaj disa mjekëve duke bërë të ditur se Ministria po merr masa që ky fenomen të mos përsëritet më.





