Gjatë fjalës së tij me 52 studentët ekselentë të cilët u pranuan si oficerë të Policisë Kriminale, kryeministri Edi Rama nga Akademia e Policisë ka deklaruar se do të krijohen mundësi për tranzicion më të butë për oficerët më të moshuar.
“Falë reformës së re dhe krijimin e strukturave të reja shërbimi në Policinë e Shtetit, do të krijohet mundësia për tranzicion të butë për oficerët më të moshuar dhe për të marrë më shumë të rinj, si edhe duke dhënë kontribut të rëndësishëm në pastrimin e një xhungle të policisë private”.
“Sot për herë të parë hyn në fuqi praktika e hapjes së dyerve të Akademisë së Sigurisë për studentë të Fakulteteve të ndryshme duke sjellë dije të reja. Sot këta 52 studentë që kanë mbaruar universitetin me rezultate të larta, do t’i bashkohen një procesi delikat të ripërtëritjes së policisë kriminale, aty ku nevoja për dije është në rendin e ditës. Ata do të jenë oficerë policie me gradën e nënkomisarit. Është një proces që do ketë një proces rekrutimi në shtator të këtij viti. Një tjetër standard i ri është ai i gjuhës angleze. Ripërtëritja e policisë së shtetit është një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet kur kjo akademi u mbyll për vite e vite të tëra. Nëse ju sot jeni prova e vullnetit për të pasur procese ku vlerësohet merita, këtë dëshmi mbajeni me vete dhe kujtohuni që të jeni gjithmonë të drejtë. Policia ishte më e keqpaguar, më e moshuar dhe më e pashkolluar. Pagat do të rriten edhe në vijim. Besoj që me një reformë që ministri i Brendshëm po udhëheq dhe me krijimin e një strukture të re që do të jetë strukturë shërbimi e Policisë së Shtetit në formën e një ndërmarrje që do ofrojë shërbim për ruajtjen e objekteve, do të krijohet mundësia për tranzicion të butë për oficerët më të moshuar dhe për të marrë më shumë të rinj, duke iu krijuar më të moshuarve që të vazhdojnë të kenë një pagë dhe duke dhënë kontribut të rëndësishëm në pastrimin e një xhungle të policisë private, që shpeshherë janë thithëse të mëdha të nevojave publike dhe shpeshherë nuk e ofrojnë kurrsesi atë shërbim që mund të ofrojë Policia e Shtetit. Një ndërmarrje moderne që do të sigurojë ata që shkojnë në një moshë të caktuar të vazhdojnë të shërbejnë”, deklaroi Rama.





