4 barazime, 1 fitore dhe një humbje, pra 7 pikë nga 15 në dispozicion. Ka mjaftuar vetëm pak më shumë se një muaj kampionat në këtë 2019 për të konfirmuar se ëndrra e titullit për Teutën, është vërtetë e tillë, thjesht një ëndërr.

Optimizmi për të shkuar përtej një vendi në Europa League preku qiellin pas investimeve serioze në merkaton e janarit dhe në mënyrë absolute nuk mund të ngarkosh me faj askënd për entuziazmin, pasi lojtarë si Arapi, Busic, Frashëri, Vajushi ky i fundit ende në “pit stop” të cilët i shtoheshin Hidit, Osmanit, Kallakut e Prognit, të imponojnë euforinë, atëherë çfarë po ndodh me “djemtë e detit”?!

Dikush mund të thotë asgjë sespe objektivi Europë është mëse i realizueshëm, dhe ndoshta ka të drejtë, por askush nuk e fsheh dot një minidozë zhgënjimi, për atë çfarë mund të ishte dhe që vështirë se do jetë, të paktën në këtë sezon.

Kundër një Skënderbeu të plagosur, kishte avantazhin madje me dy gola diferencë dhe në mënyrë gati gati të pafalshme i dhuroi barazimin, ndërhyrja e Sambou ndaj Traore që i papariu golit të Gripshit mund të sanksionohej me goditje dënimi, por nuk është një justifikim për dorëzimin e dy pikëve, ashtu si nuk mund të justifikohet barazimi ndaj Kamzës në Durrës, apo humbja e papritur në Gjirokastër.

Kjo skuadër nuk duket ende gati për të luftuar për titull dhe ëndrra që po zvanitet duhet të rishfaqet me më shumë besim në muajin gusht.