Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve që të marrin pjesë në protestën qytetare që zhvillohet prej 14 ditësh tashmë para kryeministrisë, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama, pavarësisht sloganeve që mund të artikulohen kundër PD-së dhe vetë tij.

Gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha iu përgjigj pyetjes së një qytetari lidhur me qëndrimin që duhet të mbajnë demokratët ndaj protestës.

Sipas Berishës, demokratët duhet të jenë pjesë e kësaj lëvizjeje, të cilën e cilësoi si protestën më qytetare të zhvilluar ndonjëherë në vend.

“Mendoj se lutja, këshilla, kërkesa ime është, çdo demokrate e demokrat vendin e ka në atë protestë. Është protesta më qytetare. Në qoftë se themi se është protesta më qytetare, do të thotë që është protestë jashtë partive politike. Është fibra qytetare, është përgjegjësia qytetare, janë dhjetëra mijëra dhe herë-herë qindra mijëra qytetarë që ngrihen në lartësinë e përgjegjësisë që kanë ndaj vendit dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, tha Berisha.

Lidhur me sloganet kundër opozitës dhe vetë tij që janë dëgjuar gjatë protestave, si “Rama n’burg, Berisha n’bur”, ky i fundit tha se qytetarët janë të lirë të shprehin mendimet e tyre, por akuzoi ata që, sipas tij, përpiqen të manipulojnë protestën.

“Tani, për sa u përket sloganeve kundër nesh, janë absolutisht vepër… më fal, qytetarët janë të lirë të thonë çdo slogan që duan, por ata që përpiqen t’i manipulojnë, ata janë mjeranë, ata janë mjeranë, janë opozitë e opozitës, vegël e qeverisë. Injorojini dhe mos keni asnjë impresion nga ato slogane”, deklaroi ai.