Admiruesit e futbollit të sallës për femra dhe tifozët lacialë e kanë fituar dje pasdite derbin e tyre të “vogël”. Protagoniste e fitores 6-2 ndaj Olimpia Romës ka qenë shqiptarja Aida Xhaxho, e cila në fund është shpallur edhe futbollistja e ndeshjes.

Vajza e lindur në Tiranë, por që ndërkohë është edhe pjesë e kombëtares italiane të futsallit flet pas këtij suksesi, por në të njëjtën kohë bën edhe parashikimin e saj për ndeshjen e sotme të “Olimpikos”.

“Në pritje të derbit të madh, ne fituam 6-2 derbin tonë.Jam e lumtur për paraqitjen dhe për çmimin e lojtares së ndeshjes, ndonëse nëse do të kishte qenë për mua, do ta kisha ndarë me të gjitha shoqet e ekipit, pasi luajtën një derbi madhështor. Eksperienca në futsall? Kjo kategori është në rritje. Luaj prej 7 vitesh në Serinë A dhe nëse mendoj se në fillimet e kësaj kategorie shumica prej nesh përveç futbollit kishin edhe një punë të dytë, interesi që po thith futsalli për femra ka bërë që jo vetëm pagat të bëhen më të mëdha, por edhe sponsorët të shtohen, ndaj jemi të lumtura.

Tashmë stërvitemi me kohë të plotë, po bëjmë shumë sakrifica, ndonëse unë kam pasur edhe disa probleme në të kaluarën me disiplinën. Madje, ka pasur raste që për gafat e bëra më kanë vënë shpesh edhe etiketën e Balotelit apo Kasanos së Lacios, por i kam lënë pas këto gjëra. Madje, edhe në nivel kombëtareje, futsalli për femra po rritet shumë.

Së fundmi mposhtëm Ukrainën, një ndër të parat kombëtare të formuara, por ne të Italisë, edhe pse kemi lindur të fundit kemi ditur që të mposhtim rivalet tona të mëdha, – vazhdon 25-vjeçarja, e cila më pas flet edhe për derbin e madh të Romës. – E ndjek shpesh Lacion në ‘Olimpiko’, por më besoni kur them se kjo sfidë është shumë e ndjerë, kur bëhet fjalë edhe për përballjen që ne patëm dhe fituam me Romën.

Lojtari i preferuar? Milinkoviç-Saviç, një miks mes fizikut dhe teknikës. Një parashikim për derbin? Fiton Lacio 3-1. Unë në mes të merkatos së futsallit? Po, është e vërtetë, kam shumë oferta, por jam e dashuruar me qytetin e Romës dhe skuadrën e Lacios, ndaj mendoj të qëndroj gjatë këtu”, përfundoi futbollistja shqiptare.