Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, komentoi deklaratën e kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili theksoi mbrëmë se po përgatitet arrestimi i kreut të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Manja shtoi se halli kryesor i opozitës është reforma në drejtësi dhe krijimi i SPAK, ndërsa ripërsëriti faktin se të gjithë zyrtarët që kanë futur dorën në xhepat e qytetarëve do të përballen me drejtësinë.

“Unë e di se pushtetet në Shqipëri janë të ndara. Nëse Basha ka marrë përsipër të marrë rolin e prokurorit dhe të gjykatësit, prisni se ditët e tjera do të kemi të tjerë të arrestuar. Kjo është një lajthitje politike. Ata janë arratisur nga parlamenti, por edhe nga Komisioni i Reformës  Zgjedhore.

Opozita ka frikë nga SPAK. Frika është njerëzore. Kush ka futur dorën në xhepat e qytetarëve duhet të përballet me drejtësinë. Kjo është siguresa e sistemit demokratik, që kemi zgjedhur.

Qëndrimi ynë është i qartë si PS.Mesa duket në KQZ nuk ka pasur mbështetjen e duhur pasi duhen 5:2 votat. Por ne patjetër që do ta çojmë në Kolegj propozimin tonë.

Ne jemi për të zbatuar ligjin për pushtetin vendor dhe është krejt normale, që një kryetar bashkie që ka qeverisë për më shumë se 12 vite, pse jo ti hapet rruga promovimit të figurave të reja”, tha ai.