Brenda pranverës së këtij viti pritet të nisin punimet për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit nga kompanitë koncesionare fituese. Burime nga Ministria  e Infrastrukturës dhe Energjisë bëjnë të ditur se pas shpalljes së fituesve tashme ka nisur procesi i negociimit midis Kompanive dhe Ministrisë përkatëse. Negociatat po ecin me ritme të shpejta dhe brenda muajit mars pritet të mbyllen për t’i hapur më pas rrugë punimeve në terren.

Dy kompanitë që fituan të drejtën e koncesionit për Aeroportin e Kukësit për një periudhë 35-vjeçare janë “Global Technical Mechanics” dhe “Bami sh.p.k”, ku i pari zotëron 30 për qind të aksioneve dhe i dyti 70 për qind. Tashmë shoqëritë janë regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit me emrin “Kukës International Airport”.

Konkretisht Investimi parashikon rehabilitimin dhe operimin e Aeroportit të Kukësit, duke bërë zgjerimin e pistës së aeroportit, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, zgjerimin e zonës së parkingut etj.

Synimi është që ky aeroport të ofrojë shërbime ‘low cost’  duke qenë se për nga infrastruktura, ai i përshtatet modelit të biznesit të linjave ajrore me kosto të ulët. Zona e aeroportit  pritet të zgjerohet me afro 66.000 m², ndërsa terminali i pasagjerëve pritet të bëhet afro 3.800 m² nga 600 m² që është aktualisht. /Klan Plus/